Lajme

LETËR FALËNDERIMI

2 Korrik, 2021
Description

LETËR FALËNDERIMI

|me rastin e përfundimit të vitit shkollor 2020-2021|

 

Të dashur nxënës,

Të dashur mësimdhënës,

Të dashur bashkëpunëtorë dhe partnerë,

Viti shkollor 2020/21 solli shumë sfida për të gjithë ne. Ishte vit shkollor i jashtëzakonshëm, gjatë të cilit të gjithë u munduam të përshtatemi me rrethanat e reja të imponuara nga pandemia COVID-19. Mbyllja e shkollave dhe më pas mësimi në distancë i zhvilluar gjatë kësaj periudhe, jo vetëm që ishin sfiduese dhe ndikuan drejtpërdrejt në procesin mësimor, por në forma të ndryshme cenuan edhe mirëqenien tonë. Në këto rrethana, shëndeti i secilit ishte në rend të parë dhe kishim përkushtimin maksimal për mbrojtjen e njëri-tjetrit.

Pavarësisht gjithë këtyre sfidave, gjatë gjithë kësaj periudhe Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), me mirëkuptimin maksimal të donatorëve, ka përshtatur aktivitetet në kuadër të projekteve dhe programeve që i zbaton, në përputhje me rrethanat. Besojmë thellësisht se falë bashkëpunimit dhe kontributit tuaj në çdo aktivitet të zhvilluar, ia kemi dalë mbanë.

Prandaj, përmes këtij falënderimi publik, shprehim mirënjohje për të gjithë ju, që me angazhim e përkushtim, duke i bashkuar forcat, bëtë të mundur që puna jonë e përbashkët të adresojë nevojat dhe të sjellë rezultate të kënaqshme.

Ju falënderojmë juve nxënës që me entuziazëm dhe përkushtim i dhatë ngjyrë dhe i bëtë kuptimplote aktivitetet e përbashkëta!

Ju falënderojmë juve mësimdhënës që ndatë kohë për zhvillim të vazhdueshëm profesional, edhe në momentet kur ishit duke u ballafaquar me sfidat dhe pasojat e COVID-19!

Ju falënderojmë juve prindër për mirëkuptim dhe përkujdesje të treguar!

Ju falënderojmë juve përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Drejtorive Komunale të Arsimit, drejtorë të shkollave dhe partnerë të tjerë, që bëtë të mundur arritjen e rezultateve dhe qëllimeve tona të përbashkëta.

Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) do të vazhdojë të jetë afër jush për t’ju përkrahur, ndihmuar dhe punuar bashkërisht, për të avancuar sistemin e arsimit në Kosovë.

 

JU FALEMINDERIT!

Stafi i KEC

Lajme